Partia Demokratike ka mbledhur për herë të parë Kryesinë pas humbjes së radhës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në një fjalim që zgjati mbi 30 minuta, kreu i PD-së, Sali Berisha, bëri një analizë të thellë të situatës politike, ku pranoi se partia që ai drejton “nuk ka bërë sa duhet” për të bindur qytetarët se Shqipëria po jeton, sipas tij, nën një diktaturë autokratike.
“Më shqetëson më shumë anëtarësia dhe mbështetësit tanë. Kjo nuk vjen nga mosdashja e tyre, por nga puna e dobët e jona për të qartësuar këto koncepte fondamentale politike”, u shpreh Berisha.
Ai tha se pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të ndërkombëtarizuar krizën, mesazhi nuk ka kaluar siç duhet. “Shqiptarët nuk e kanë kuptuar plotësisht se çfarë sistemi jetojmë,” – vijoi Berisha, duke fajësuar drejtuesit e PD-së për mungesën e qartësisë politike dhe mungesën e përhapjes së informacionit.
Berisha: 218 mijë punonjës të shtetit janë të PS-së
Kreu i PD-së e cilësoi zgjedhjet e 11 majit si një “farsë elektorale”, duke shtuar se shteti është kthyer në një strukturë të kontrolluar plotësisht nga Partia Socialiste. Sipas tij, nga 220 mijë punonjës të administratës publike, 218 mijë janë emëruar nga “partia e krimit”.
“Jetojmë në një diktaturë autokratike sepse 90% e hapësirës mediatike kontrollohet nga qeveria. Media është bërë vegël e mashtrimit. Qytetarët mashtrohen dhe vetëm mashtrohen”, deklaroi Berisha, duke iu referuar edhe autorëve si Hannah Arendt për të mbështetur qëndrimet e tij.
“Të mos njohim zgjedhjet, por të hyjmë në Parlament”
Në mënyrë të pritshme, Berisha kërkoi që PD të mos i njohë zgjedhjet, por bëri të qartë se beteja do të vijojë në Kuvend.
“Tani kërkohet ribrendim. Kërkohet ndryshim. Asnjëri nga ne nuk ka bërë sa ka mundur. Duhet energji e re, forma të reja, dhe qëndrim i ri përballë kësaj narkodiktature”, u shpreh Berisha, duke i bërë thirrje Kryesisë për një betejë të re opozitare.
Mbledhja u mbajt pa praninë e disa deputetëve që nuk u rizgjodhën, por në sallë ishte prezent edhe Ervin Salianji, i cili doli nga burgu në korrik, pas dënimit me një vit për çështjen “Babale”.