Erion Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës, i marrë nga Këshilli i Ministrave më 25 shtator. Ankimi i tij pezullon automatikisht firmën e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin, si dhe bllokon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës deri në daljen e një vendimi nga gjykata.

Sonila Bejtja do të jetë relatorja që do të shqyrtojë ankimin e Erion Veliajt. Bejtja u caktua vetëm 3 orë pasi mbrojtja e Veliajt depozitoi në Kushtetuese ankimin ditën e sotme, 29 shtator. Shqyrtimi i kësaj kërkese pritet të zgjasë disa muaj, duke penguar planet e PS për mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejt.

Veliaj thotë se vendimi është i paligjshëm dhe antikushtetues. Ai argumenton se neni 62, të cilit iu referuan në propozimin për shkarkim me arsyetimin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës, i cili përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.