Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit evropian, ku sfida kryesore është të sigurohet pakthyeshmëria e reformave dhe arritjeve të deritanishme.

Gjatë podcastit “Flasim”, ku e ftuar ishte pronarja e kantinës “Braha”, Erjola Braha, Rama theksoi se progresi i bërë në përmbushjen e standardeve europiane duhet të mbrohet nga çdo rrezik që mund ta kthejë vendin pas, duke shërbyer si bazë e qëndrueshme për hapin e ardhshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Rama e përshkroi këtë fazë të Shqipërisë me metaforën e një toke të punuar gjatë, ku vjelja e prodhimit është tashmë pranë.

“Në 2030 do të jetë momenti që mund të konsiderohet si koha e mbledhjes së produktit pas një kultivimi të gjatë, mundimi të gjatë, pasi kanë kaluar rreziqet nga shirat, breshërat e sëmundjet. Jemi në fazën kur mund të mbledhim produktin dhe me atë produkt të krijojmë një shije komplet tjetër të Shqipërisë, të pakthyeshmërisë. Në këtë fazë duhet të garantojmë pakthyeshmërinë e gjërave që janë bërë. Nëse e garantojmë këtë, mund të fillojmë të sigurojmë cilësi. Toka e mbjellë, vreshtat e rritura dhe procesi drejt marrjes së prodhimit të mos përmbysen nga ato sëmundjet që kanë ardhur në historinë tonë herë pas here dhe i kanë kthyer përmbys”, deklaroi Rama.

Ai solli në vëmendje legjendën e Rozafës, si metaforë të prirjeve destruktive që rrezikojnë progresin.

“Kemi nga mitologjia një nga legjendat tona më të famshme, që është Rozafa: ditën ndërtonte natën shkatërrohej. Që me shqetëson, sepse tendenca destruktive është prezente. Nëse kapërcejmë këtë fazë delikate do të kemi një Shqipëri që ju të rinjtë do ta shikoni deri në fund”, theksoi Rama.