Propozimi i Albin Kurtit për një mandat të ri katërvjeçar nuk mori përkrahjen e nevojshme prej 61 votash në Kuvendin e Kosovës në seancën e mbajtur të dielën në afatin e fundit ligjor të vënë nga Gjykata Kushtetuese.
Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstentime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.
Kreu i partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se do t’i kërkojë presidentes Vjosa Osmani që të shkohet në zgjedhje menjëherë.
E sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.
Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.




















