Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar rikonstruktimin e të gjitha godinave të sistemit të drejtësisë deri në vitin 2030. Lajmi u bë me dije në çelje të episodit të 3-të të podcastit ‘Flasim’.

Për Ramën, infrastruktura e godinave nuk është arritur të mirëmbahet apo të menaxhohet nga vetë drejtësia, dhe kjo për shkak të pavarësisë që fitoi ky sistem pas reformës në drejtësi. Kryeministri është shprehur se qeveria zotohet për të marrë përsipër dhe këtë mision, për t’i ofruar vendit institucione dinjitoze, prokurori e gjykata, për të shtuar këtu dhe performancën dinjitoze.

“Një tjetër projekt i domosdoshëm është masteplani i ndërtimit të godinave të drejtësisë. Kam vënë re me keqardhje që vetëqeverisja e sistemit të drejtësisë falë pavarësisë së plotë që iu dha atij sistemi me reformën në drejtësi. Ndër ato të çalat e veta ka edhe dobësinë e madhe në administrimin e infrastrukturës, në projektimin, në transportimin e infrastrukturës. Transformimi i godinave pa projekte të besueshme është mision i pamundur. Kemi vendosur që edhe këtë mision ta marrim përsipër vetë.

Në Shqipërinë 2030 të kemi një infrastrukturë tërësisht të transformuar godinave se nuk mund vazhdojmë me arme me hapësira dhe mjedise gjykatash e prokurorish që janë shumë larg të qenurit dinjitoze. Nuk mund të vazhdojmë me ngushtësira që pastaj përkthehen me një performancë që le shumë për të dëshiruar”, tha Rama.