Kryeministri Edi Rama tha sot se, Shqipëria ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme në fushën e sigurisë kibernetike, duke u renditur në vendin e 18-të në botë.

Rama u shpreh gjatë podkastit “Flasim”, se Shqipëria ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme duke u renditur me 85 pikë sipas Cyber National Security Index dhe duke u ngjitur me 36 vende krahasuar me vitin 2023.

“Ky rezultat përfaqëson një ngritje me 36 vende krahasuar me vitin 2023, kur vendi ynë ishte në vendin e 54 me 62.34 pikë. Brenda dy vitesh kemi kaluar dhjetra shtete të mëdha dhe me traditë në këtë fushë duke u shndërruar në një nga historitë më të jashtëzakonshme të suksesit në sigurinë kibernetike globale, si rezultat i një reagimi 360 gradë ndaj një sulmi jashtëzakonisht të rrezikshëm kibernetik që u bë mbi infrastrukturën digjitale nga një shtet i madh dhe i njohur për terrorizimin kibernetik”, theksoi Rama.

National Cyber Security Index (NCSI) është një indeks ndërkombëtar që mat nivelin e përgatitjes së shteteve për të parandaluar kërcënimet dhe për të menaxhuar incidentet kibernetike. Ai zhvillohet nga E-Governance Academy (EGA) në Estoni, një organizatë e njohur globalisht për ekspertizën në qeverisjen digjitale dhe sigurinë kibernetike.

Indeksi përfshin 112 shtete dhe vlerëson mbi 40 indikatorë që mbulojnë: kuadrin ligjor dhe institucional, mbrojtjen e shërbimeve kritike dhe të dhënave personale, kapacitetet e reagimit dhe menaxhimit të krizave, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.