Në të gjithë territorin e vendit vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë po vijon me shembjen e mureve dhe strukturave të betonit në territor, të cilat cenojnë hapësirën publike.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrjet që po kryhen në qytetin bregdetar të Vlorës.

“S’ka pushim”, shkruan Rama teksa ndan pamje nga shembja e mureve rrethues pranë rrugëve të qytetit që pret mijëra turistë, sidomos gjatë sezonit veror.

Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal, i cili është hedhur për diskutim publik, parashikohen ndëshkime më të ashpra.

Ndërkohë, një tjetër mekanizëm që do të jetë në funksion të subjekteve private do të jetë Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.

Në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion edhe Portali “Hapësiraimepublike.gov.al”. Deri më sot në këtë portal janë raportuar 14 471 raste, nga të cilat janë zgjidhur 10 709 raste, ndërsa 3 762 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.