Policia e Shtetit i bën apel për kujdes për të gjithë përdoruesve të rrugës për shkak të motit të keq.
Në një postim në rrjetet sociale, Policia e Shtetit theksoi se si pasojë e motit të keq me reshje shiu në disa akse rrugore ka prezencë uji apo edhe rënie inertesh.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të zbatojnë udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.
Strukturat e Policisë Rrugore janë në terren për të ndihmuar dhe parandaluar ngjarjet rrugore.
Ndërkohë, po bashkëpunohet me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve, me qëllim pastrimin në kohë të segmenteve ku, si pasojë e reshjeve, ka pasur rënie inertesh në rrugë.
Policia fton qytetarët të telefonojnë në numrin 112 në rast nevoje në rrugë.
Vendi ynë sot është përfshirë nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Gjatë ditës ka pasur reshje me intensitet mesatar në veri e pjesërisht në qendër. Në orët e mbrëmjes parashikohet riaktivizim i reshjeve të shiut të herëpashershme me intensitet mesatar e hera-herës lokalisht të lartë shoqëruar me shkarkesa elektrike, kryesisht në zonën veriperëndimore e pjesërisht në qendër.




















