Al Pacino dhe e ndjera Diane Keaton u bënë të njohur për rolet e tyre si çifti i martuar, Michael Corleone dhe gruaja e tij e vuajtur, Kay Adams, në trilogjinë ikonike Kumbari të Francis Ford Coppola-s. Jashtë ekranit, marrëdhënia e tyre pasqyronte në një farë mënyre atë të personazheve, me Pacinon dhe Keaton që kishin një lidhje të trazuar, me ndarje dhe ribashkime, nga viti 1971 deri në 1987. Tani, pas ndarjes nga jeta të Keaton në moshën 79-vjeçare, Daily Mail raporton se Pacino mund të dëshironte që gjërat të kishin shkuar ndryshe me partneren e tij në film.

Një mik i Pacinos i ka thënë të përditshmes britanike se pendesa më e madhe e aktorit është që nuk u martua me Keaton kur kishte mundësinë.

“Duke parë pas në kohë, Al e pranon se dashuria e jetës së tij ka qenë Diane, të cilën gjithmonë e ka quajtur ‘një grua e mrekullueshme,’” tha burimi për Daily Mail. “

E di që gjithmonë do të pendohet që nuk ndërmori hapin kur duhej.”

(Vanity Fair ka kontaktuar me Pacinon për koment.)

Sipas Daily Mail, në një moment, Keaton i dha Pacinos një ultimatum: Martohu me mua ose është fundi. Thuhet se Pacino zgjodhi ta mbyllte marrëdhënien.

“Për vite me radhë pas ndarjes me Dianen, Al thoshte:

‘Nëse është e shkruar të ndodhë, kurrë nuk është vonë për një tjetër mundësi,’” shtoi burimi. “Por tani, për fat të keq, është.”

Keaton dhe Pacino u takuan në xhirimet e Kumbari në vitin 1971 dhe sipas raportimeve, nuk nisën një lidhje romantike deri pasi përfunduan xhirimet.

“Isha e çmendur pas tij. I hijshëm, me humor, fliste pa pushim,” i tha Keaton revistës People në vitin 2017 për kolegun e saj.

“Kishte një anë që të ngjante me një jetim të humbur, si një idiot i mençur, pak i çmendur. Dhe, oh, sa i bukur!”

Keaton ka pasur lidhje me disa figura të njohura, përfshirë Woody Allen dhe Warren Beatty, por nuk është martuar kurrë.

“Mbaj mend që një ditë në gjimnaz, një djalë më tha:

‘Një ditë do të bëhesh një grua e mirë,’” i tregoi ajo People në vitin 2019. “Dhe unë mendova, nuk dua të jem grua. Jo.”

Megjithëse nuk u martua kurrë, Keaton birësoi dy fëmijë kur ishte në të 50-at: vajzën Dexter, tani 29 vjeçe, dhe djalin Duke, 25 vjeç.

Ndërkohë, Pacino ka katër fëmijë. Ai ka një vajzë të madhe, Julie Marie, 35 vjeçe, me ish-të dashurën e tij Jan Tarrant, një instruktore aktrimi.

Gjithashtu ka binjakët Anton dhe Olivia, 24 vjeç, me ish-partneren Beverly D’Angelo, me të cilën ishte në lidhje nga viti 1997 deri në 2003. Në vitin 2023, në moshën 85-vjeçare, Pacino u bë baba për herë të katërt me lindjen e djalit Roman, që e ka me ish-të dashurën Noor Alfallah. “Al i adhuron të gjithë fëmijët e tij,” tha burimi për Daily Mail.

“Edhe pse preferonte të jetonte në New York, bleu edhe një shtëpi në Los Angeles që të kalonte më shumë kohë me fëmijët e tij që jetonin atje.”

Edhe pse Keaton dhe Pacino jetonin afër njëri-tjetrit në Beverly Hills, sipas Daily Mail, nuk flisnin. “E pyeta njëherë pse,” tha burimi, “dhe ai më tha:

‘Nuk ka nevojë të flasim me njëri-tjetrin. I thamë të gjitha ato që duhej të thuheshin atëherë.’”

Edhe pse nuk ishin të destinuar të qëndronin bashkë, Keaton dhe Pacino ruajtën gjithmonë një ndjenjë respekti dhe dashurie për njëri-tjetrin. Kur Keaton mori çmimin për arritje në jetë nga Instituti Amerikan i Filmit në vitin 2017, Pacino e nderoi në skenë duke thënë: “Je një artiste e madhe. Do të të dua përgjithmonë.”/VanityFair