Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë qartë se dëshiron Çmimin Nobel për Paqe, fituesi i të cilit do të njoftohet javën e ardhshme, por ekspertët parashikojnë se ai ka shanse të vogla krahasuar me ata që punojnë me përkushtim dhe në mënyrë të panjohur për konfliktet “të harruara” në botë.
Fituesi i këtij çmimi prestigjioz do të shpallet të premten, më 10 tetor, por ditët para kësaj do të shpallen fituesit e Çmimit Nobel për Mjekësi, Fizikë dhe Kimi.
Lideri amerikan mund të përmendet edhe në këto raste për shkak të prerjeve në financimin e kërkimeve shkencore.
Trump këtë javë tha se do të ishte “një fyerje” për Shtetet e Bashkuara nëse ai nuk fiton Çmimin Nobel për Paqe, por ekspertët në Oslo, ku ndodhet komiteti që zgjedh fituesit, thonë se në realitet 79-vjeçari nuk ka shanse për shkak të politikës së tij “Amerika në vend të parë” dhe stilit që shkakton ndarje.
“Kjo është krejt e papranueshme”, tha Oeivind Stenersen, historian dhe ekspert që ka studiuar çmimin dhe ka shkruar libra për të.
Trump është në shumë aspekte i kundërt me idealet që përfaqëson Çmimi Nobel, tha ai. “Çmimi Nobel për Paqe ka të bëjë me mbrojtjen e bashkëpunimit multilateral, për shembull në Kombet e Bashkuara, ndërsa Trump shkel këtë parim, ai ndjek rrugën e tij, në mënyrë unilaterale”, shtoi ai.
Kreu amerikan pretendon se ka përfunduar gjashtë ose shtatë luftëra në po kaq muaj, për të cilën ekspertët thonë se është një ekzagjerim i madh. Dhjetëra mijëra njerëz mund të nominojnë kandidatë për Çmimin Nobel për Paqe. Këtë vit janë nominuar 338 individë dhe organizata, por emrat e tyre mbahen sekret për 50 vjet.