Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa ka komentuar zgjidhjen e Nenad Rashiçit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, ka pretenduar se ai nuk e përfaqëson askënd, por është “ndihmës i Albin Kurtit”.

Ai përsëriti se Serbia nuk e fsheh dëshirën për të mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Gjashtë muaj pas seancës së parë konstituive, deputetët e legjislaturës së nëntë, të premten, e 10 tetorit kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Pas zgjedhjes së nënkryetarit të pestë të Kuvendit të Kosovës, kryekuvendari, Dimal Basha, e shpalli Kuvendin e Kosovës të konstituuar.

Nenad Rashiç, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të nëntë propozimeve të Listës Serbe.

Me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, ai u bë njëri nga pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.

Përveç votave nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ai siguroi edhe votat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan, ndërsa Lista Serbe votoi kundër.