Gjykata Kushtetuese refuzoi të komentojë vendimin e presidentit Bajram Begaj për të dekretuar datën 9 nëntor për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës.

Gazetarja e Euronews Albania, Enkelejda Mema e pyeti Gjykatën Kushtetuese se cili ishte qëndrimi i tyre lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit, “për aq kohe sa në Gjykatën Kushtetuese është depozituar një ankimim nga pala mbrojtëse e ish-kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe sipas nenit 115 te kushtetutës, çdo vendimmarrje pezullohet”.

“Nuk kemi asnjë koment për çështjen”, ishte përgjigjja e Kushtetueses.

Presidenca sqaroi përmes një njoftimi për shtyp motivacionin e dekretit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në Tiranë, pavarësisht se ish-kryebashkiaku Erion Veliaj kishte ankimuar shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Presidentit Bajram Begaj, ankimi për shkarkim nga detyra për arsye të mosparaqitjes në punë – si në rastin e Veliajt – nuk bën pjesë në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, por duhet të trajtohet nga Gjykata Administrative.