Një hetim i FBI-së ka zbuluar një rrjet të sofistikuar të trukimit të ndeshjeve të NBA-së dhe basteve të paligjshme jo vetëm në basketboll, në të cilin janë të përfshirë lojtarë, trajnerë dhe anëtarë të mafias italo-amerikane. Operacioni ka tronditur jo vetëm ligën më të madhe të basketbollit në botë, por edhe komunitetin e sportit amerikan në përgjithësi.

Trashëgimia e errët e mafias dhe kthimi i “Pesë Familjeve”

Hetimet zbuluan se rrjeti lidhej me anëtarë të famshëm të familjeve Bonanno, Genovese dhe Gambino, tre nga ‘Pesë Familjet’ legjendare të Nju Jorkut, të cilat kanë kontrolluar Cosa Nostran për dekada. Pas rënies së aktivitetit në vitet ’90 për shkak të operacioneve të policisë dhe ligjit RICO, mafia ka evoluar duke u përqendruar te krimi dixhital dhe bastet online.

Profesorja e kriminologjisë, Anna Sergi, e përshkruan Nju Jorkun si “palestrën ku ngurtësohen anëtarët e rinj të mafias italo-amerikane”.

Arrestimet që shokuan NBA-në

Sipas FBI-së, në qendër të hetimeve janë Chauncey Billups (trajner i Blazers në NBA), Terry Rozier (basketbollist i Miami Heat) dhe ish-lojtari Damon Jones, të arrestuar për përfshirjen në dy skema paralele të basteve të paligjshme. Gjashtë të pandehur përdorën informacion të brendshëm dhe manipuluan performancën e lojtarëve për të ndikuar rezultatin e basteve.

Lojëra pokeri të kurdisura, 31 të pandehur përdorën pajisje teknologjike, si lente kontakti dhe tavolina me rreze X, për të lexuar letrat e kundërshtarëve.

NBA ka pezulluar Billups dhe Rozier në pritje të përfundimit të hetimeve.

Si funksiononin bastet e “lojtarëve props”

Skema u përqendrua te bastet mbi statistikat individuale të lojtarëve (pikë, asiste, rikuperime). Informacionet e brendshme për dëmtimet, pushimet dhe pjesëmarrjen e lojtarëve u përdorën për të fituar shuma të mëdha parash.

Një rast i veçantë përfshin Terry Rozier, i cili informoi rrjetin për largimin e tij të hershëm nga loja për shkak të një dëmtimi, duke lejuar fitime dhjetëra mijëra dollarëshe nga bastet.

Rreze X, poker dhe pastrim parash

Hetuesit zbuluan:

7 ndeshje NBA të dyshimta nga shkurt 2023 deri në mars 2024.

Pajisje speciale për manipulimin e lojës dhe pokerit të kurdisur.

Pastrim parash përmes kriptomonedhave dhe kompanive fiktive.

Veprime kriminale, duke përfshirë shantazhe dhe grabitje për sigurimin e mjeteve.

Fitimet nga rrjeti i basteve të paligjshme kapën dhjetëra miliona dollarë.

Informacioni i brendshëm si “armë”

Damon Jones dyshohet se përdori informacion të brendshëm për ndeshjen Lakers – Bucks, ku LeBron James nuk luajti, duke ndihmuar bastet e paligjshme. Hetimi thekson se edhe rrjedhjet më të vogla të informacionit mund të ndryshojnë ekuilibrin financiar në tregjet e basteve.

Drejtori i FBI-së, Cass Patel, e quajti skemën “të pabesueshme” dhe njoftoi se të gjithë të përfshirët do të mbahen përgjegjës në gjykatë. “Ky është një operacion historik, i cili filloi vite më parë dhe përfshiu agjenci të shumta në 11 shtete”, tha drejtori i FBI-së, Cass Patel, në një konferencë për shtyp në Nju Jork, “me më shumë se 30 persona të arrestuar aktualisht.”

Mafia e shekullit 21 dhe familja Gambino

Hetimi tregon se mafia nuk ka humbur forcën e saj, por është modernizuar, duke kaluar nga bixhozi dhe prostitucioni i viteve ’50 tek manipulimi dixhital i sotëm.

Familja Gambino, një nga më të famshmet, e themeluar nga Carlo Gambino, ka vazhduar ndikimin e saj për dekada, duke frymëzuar edhe filmin e famshëm “Kumbari”. Ish-bosi i saj, John Gotti, i njohur si “Teflon Don”, u bë simbol i dhunës dhe ndikimit të mafias në Nju Jork.

Ky skandal thekson aftësinë e vazhdueshme të mafias për t’u përshtatur dhe lidhjen e saj me botën e sportit dhe financave dixhitale. Hetimi i FBI-së mund të ketë pasoja të gjera jo vetëm për lojtarët e NBA-së, por edhe për gjithë industrinë e basteve sportive.