Tre ditë para se Florjan Binaj të shpallte kandidaturën për Bashkinë e Tiranës, gazetari Ardit Rada tha se Sali Berisha është i pafuqishëm të vendosë për emra. Sipas tij, mbi vendimarrjet në PD i kanë fëmijët e Berishës dhe kandidati do të dalë pikërisht prej tyre.

“Unë guxoj t’ju them se ka disa të tjerë mbi Berishën që vendosin për interesat dhe llogari të tij. Ne jetojmë në Shqipëri dhe e kemi diskutuar se ka njerëz mbi kreun e PD që kanë caktuar anëtarë kryesie apo kanë menaxhuar dhe financuar protestat me djegie gomash dhe rrahje policësh. Dhe nëse doni t’ju përsëris, janë fëmijët e Sali Berishës. Janë ata që do ta financojnë fushatën dhe do të vendosin se cili do të kandidojë për Tiranën” – tha Rada tri ditë më parë në ABC Neës.

Kujtojmë se sot Florjan Binaj që punon në TV e familjes Berisha ka shpallur kandidaturën për kryebashkiak të Tiranës. Dhe përtej kësaj i gjithë televizioni ka disa orë që është investuar për ta mbrojtur kandidaturën e Binajt.