Ka nisur në Kosovë procesi i votimit ku mbi 1 milionë e 316 mijë qytetarë të Kosovës kanë sot të drejtën e votës, pjesë e procesit të dytë zgjedhor, për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.

Raundi i parë i zhvilluar më 12 tetor, dërgoi në balotazh 18 komuna: Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë e Kllokot. Gara do të zhvillohet mes dy kryetarëve më të votuar nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale, por që nuk arritën të siguronin më shumë se 50% të votave.

Në raundin e balotazhit partia që hyn në më shumë komuna si forcë e parë është Lëvizja Demokratike e Kosovës (LDK) me 6 të tilla, Aleanca për Aardhmërinë e Kosovës (AAK) në 4 dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në 3 komuna.

Garat më të forta konsiderohen ato për Prishtinën dhe Prizrenin. Për Prishtinën, garon kryetari aktual i LDK, Përparim Rama, dhe kandidati i LVV, Hajrulla Çeku. Në Prizren, Shaqir Totaj i PDK do të jetë përballë Artan Abrashit të Vetëvendosjes. PDK do mbështetet nga LDK sipas një marrëveshjeje.

Komunat Kandidatët
Prishtinë Përparim Rama LDK – Harullah Çeku LVV
Prizren Shaqir totaj PDK – Artan Arashi LVV
Pejë Gazmend Munaxheri LDK – Taulant Kelmendi LVV
Junik Ruzhdi Shehu LDK – Agro Kuçi AAK
Dragash Bexhet Xheladini LDK – Shaban Shabani PDK
Kaçanik Sabedin Vishi PDK – Jeton Raka LVV
Fushë Kosovë Valon Prereza LVV – Besnik Osmani LDK
Mitrovicë Arian Tahiri PDK – Faton Peci LVV
Rahovec Smajl Latifi AAK – Ali Dule LVV
Suharekë Bali Muharremaj AAK – Ardian Shala LDK
Gjilan Alban Hyseni LVV – Arbër Ismajli LDK
Vushtrri Ferit Idrizi PDK – Sylejman Meholli LVV
Obiliq Xhafer Gashi LDK – Halil Thaçi LVV
Klinë Zenun Elezaj AAK – Sokol Bashota PDK
Kllokot Bozhidar Dejanoviq Lista Serbe – Sreqko Spasiqi Uniteti Kombëtar Serb
Garën pa balotazh e përmbyllën: Agim Aliu i PDK-së në Ferizaj, Imri Ahmeti i LDK-së në Lipjan, Kadri Rahimaj nga LVV-ja në Kamenicë, Bashkim Ramosaj i AAK-së në Deçan, Ilir Ferati i LDK-së në Istog, Shpejtim Bulliqi i LVV-së në Podujevë, Sami Lushtaku i PDK-së në Skënderaj, Ekrem Kastrati në Malishevë dhe Ramiz Lladrovci nga partia “Për Drenasin Kampion” me Ramiz Lladrovcin në Drenas.