Protagonistja e parë e puntatës së radhës të “Ka Një Mesazh Për Ty” ruan ende shijen e festivalit magjik që sapo mbylli siparin e edicionit të 25-të më 22 nëntor. Para se të nisë rrëfimin e saj, Flora merr disa sekonda për t’i thënë ca fjalë zemre moderatorit të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas. Ashtu si shumë të tjerë, edhe ajo ndalet te Anna Gjebrea.
Flora: Dua t’ju falënderoj pa masë për këtë kënaqësi që na dhatë me Këngën Magjike.
Ardit Gjebrea: Ah, faleminderit!
Flora: U mahnitëm, artistët si gjithmonë shkëlqejnë, por qershia mbi tortë ishte Anna! Jemi kënaqur!
Flora jeton prej 40 vitesh në Tiranë dhe është infermiere në profesion. Ajo ka mjekuar mijëra plagë, por edhe vetë mban një dhimbje të madhe. Ka një vajzë e një djalë, por në vitin 1999 ka pësuar një humbje që nuk zëvendësohet me asgjë.
Flora: Këtë bukuri të familjes sime, e prishi një goditje që mora unë në shpirt dhe në zemër. Viti 1999 ma mori djalin, ma bëri engjëll në qiell në moshën 12-vjeçare. Dhimbja ishte e paparë, menduam me bashkëshortin si do të vazhdojë jeta jonë tani? Menduam, menduam, s’kishim ç’bënim. Për hir të fëmijëve, prindërve dhe motrave të mia, ne vendosëm të jetojmë ashtu copë-copë, por jetën ta përqafojmë përsëri. Pas ikjes së djalit, se unë isha shumë e re, 39 vjeçe, mua Zoti më ka falur një mbret, më ka falur djalin tim që sot e kam në moshën 25 vjeçe!
/tvklan.al




















