Rreth 6 mijë protestues nga gjitha trojet shqiptare priten të marrin pjesë sot në protestën e paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) në Strasburg, përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

Protesta do të mbahet në orën 13:00 në shenjë mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Protesta të ngjashme janë mbajtur më herët në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë. Një protestë tjetër është paralajmëruar të zhvillohet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, figura qendrore të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen prej 5 vitesh të arrestuar në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa procesi ndaj tyre nisi vetëm në vitin 2023.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli drejtoi shërbimin e inteligjencës, Krasniqi ishte zëdhënës. ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Ndërsa gjithçka nisi nën pretendimet për trafik organesh, që nuk u vërtetuan kurrë, ndaj të katërve u ngritën akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Krime të cilat dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë. Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.