Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e cilësuar 28 Nëntorin si një datë të shenjtë dhe të pandashme nga historia e kombit shqiptar. Në mesazhin e tij, Kurti theksoi se kjo ditë mbetet nyja që lidh shekujt e rrugëtimit drejt lirisë.

“Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë”, u shpreh ai, duke rikujtuar ngritjen e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 1443, që sipas tij ishte “një aksident historik”, por që u shndërrua në shenjë të përhershme të kalendarit kombëtar.

Kurti theksoi se rrugëtimi i shqiptarëve vazhdoi me 28 nëntorin 1912, kur flamuri “u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative”.

Ai vuri në pah vizionin e Sami Frashërit për një Shqipëri të bashkuar dhe solli në kujtesë fjalët e Luigj Gurakuqit për vitin 1912, të cilin ky i fundit e përshkruante si vit të “mjerime e pësime”, por që solli “lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”.

Në urimin e tij, Kurti përmendi edhe 28 nëntorin 1955, ditën e lindjes së Adem Jasharit, si dhe 28 nëntorin 1997, kur UÇK-ja doli për herë të parë publikisht. Sipas tij, këto momente dëshmojnë se përpjekjet dhe flijimet e shqiptarëve ndër shekuj “janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur”.

Kryeministri i Kosovës foli edhe për “Nëntorin e Tretë”, një projekt simbolik që sipas tij lidhet me të ardhmen evropiane dhe përmbushjen e amanetit të brezave.

“Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet”, tha Kurti, duke shprehur urimin që kjo ditë “të vijë sa më shpejt”.

Në fund, ai u drejtoi një mesazh shqiptarëve kudo që ndodhen:

“Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste: Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!”