Qeveria ka dorëzuar këtë të martë në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2026, i cili pritet të diskutohet në komisionet parlamentare në javët në vijim. Sipas dokumentit zyrtar, buxheti i përgjithshëm parashikohet të arrijë në 8.8 miliardë euro.
Në ndarjen e fondeve, rreth 100 milionë euro janë planifikuar për rritjen e pensioneve në kuadër të skemës së re që pritet të hyjë në fuqi. Po ashtu, 135 milionë euro do të përdoren për rimbursimin e medikamenteve, ndërsa 50 milionë euro do të shkojnë për procesin e rindërtimit.
Në total, të ardhurat buxhetore parashikohen në 823 057 milionë lekë, ndërsa shpenzimet do të arrijnë në 886 764 milionë lekë, duke rezultuar në një deficit prej 63 707 milionë lekësh.
Në dokumentin e paraqitur theksohet gjithashtu se fondet e dedikuara për 11 kontrata koncesionare do të jenë 120 milionë euro, një ulje e lehtë krahasuar me 123 milionë euro të parashikuara për vitin aktual.
Projektbuxheti 2026 pritet të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare përpara se të dalë për votim në seancë plenare.




















