Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me banorët e Njësisë numër 3 në Tiranë. Ai foli për projekt-buxhetin e PS-së, duke u shprehur se ka si kryefjalë pensionistët, ndërsa gjithashtu u ndal dhe te pagat.
“Edhe pse është një ditë pushimi, jemi mbledhur për të ndarë së bashku disa momente dhe për të diskutuar për disa linja kryesore të buxhetit te bashkisë, por edhe buxhetit të shtetit për vitin që troket. Më vjen shumë mirë që kemi një projekt-buxhet të qeverisë të PS-së, që ka si kryefjalë pensionistët.
Pas një përpjekje të gjatë ne kemi arritur të krijojmë kushtet financiare falë rritjes së ekonomisë, falë reformave që nxitën rritjen e ekonomisë dhe falë mbështetjes së palëkundur të shqiptarëve që na dhanë mundësinë të krijojmë një projekt afatgjatë për Shqipërinë në BE. Ne kemi angazhuar në dispozicion të pensionistëve 1.7 miliardë euro plus që do të disbursohen gjatë mandatit tonë të katërt duke nisur nga janari i vitit që vjen.
Çdo vit do të financohet dyfishi i vitit të mëparshëm. Çfarë pensionistët do të marrin në 2026-ën do të dyfishohet në 2027, do trefishohet në 2028, do katërfishohet në 2029 dhe do të pesëfishohet në 2030-ëm. Është një sforco shumë e madhe nga pikëpamja financiare, por është një sforco që më në fund mund të bëjmë, sepse jo vetëm që është një gjë që e kemi synuar dhe dëshiruar, por nga ana tjetër mund ta bëjmë pa cenuar pjesën tjetër, rritjen ekonomike, të ardhurat që duhet të vendosim për të gjitha ato aspektet që lidhen me fëmijët, kopshtet, çerdhet, shkollat, që nga kujdesi shëndetësor te ai social.
Në buxhetin e vitit që po troket, që nga janari, paga minimale, për të gjithë shqiptarët që jetojnë me punë, ata që e kanë 400 euro do të shkojë 500 euro. Nuk do të jetë vetëm për ata që punojnë në sektorin publik, por për të gjithë ata që punojnë. Deri në fund të mandatit të katërt do e çojmë pagën minimale 700 euro. Për shkak të pagës minimale do të rriten dhe pagat e tjera. Do të rriten pagat për mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e policisë, ushtarakët dhe gjithë të tjerët”, tha ndër të tjera Rama.




















