Sali Berisha është thirrur sot nga SPAK për krimin shtetëror të 21 Janarit. Kreut të PD-së i është dërguar fletëthirrja për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme në orën 10:00 dhe për t’u marrë në pyetje nga prokurori i çështjes Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi vrasjen e katër protestuesve në bulevard, të cilët u qëlluan me plumba nga godina e Kryeministrisë në kohën kur Berisha ishte në pushtet.

Fletëthirrja është dërguar në tre adresa, në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend si edhe në selinë e Partisë Demokratike. Kjo është thirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin, pasi e para, e lëshuar më 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur. Për këtë arsye, SPAK lëshoi një fletëthirrje të re me datë 7 nëntor, këtë herë në të gjitha adresat zyrtare të Berishës.

Pritet të shihet nëse do të shkojë apo do të shmangë sërish përballen në SPAK, pasi një ditë më parë, mohoi të jetë informuar për thirrjen. Ai tha se do të paraqitet në SPAK vetëm kur të marrë në dorë fletëthirrjen, ndërsa sulmoi prokurorët duke i quajtur shërbëtorë që po e përdorin çështjen për të mbuluar skandalet e qeverisë.