Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka vijuar hetimet duke ngritur akuza ndaj disa zyrtarëve shtetërorë për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Në këtë fazë, akuza rëndon mbi Evis Berberin, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, të cilët dyshohen se kanë vepruar në bashkëpunim gjatë pjesëmarrjes së tyre në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë).
Në kohën e zhvillimit të tenderit, të pandehurit mbanin pozicione kyçe në institucionet përgjegjëse për infrastrukturën rrugore: Evis Berberi Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi – Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, Gentian Gjyli – Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes, si dhe Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica si specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thuhet sipas njoftimit të SPAK.




















