Rezultati për 5 bashkitë që kanë shkuar në zgjedhje të pjesshme pritet të dalë të hënën në drekë. Në një komunikim të parë me mediat për procesin zgjedhor, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi bëri me dije se për herë të parë procesi i numërimit të votave do të transmetohet live.
“Për 9 KZAZ do ketë pamje live të vendit të numërimit të votave”, tha Celibashi.
Në bashkinë e Tepelenës, për herë të parë do të impelmetohet Inteligjenca Artificiale në numërimin e votave. Celibashi shpjegoi se si do të funksionojë procesi dhe rezultati do pasqyrohet në kohë reale edhe në faqen e KQZ-së.
“Në çdo tavolinë numërimi ne kemi të instaluar kamerat të cilat regjistrojnë gjithë procesin e numërimit të fletëve të votimit. Fletët e votimit vendosen e filmojnë, sikurse është bërë dhe në zgjedhjet e shkuara, ajo çka kemi bërë ne dhe ku e përdorim inteligjencën artificiale është që të gjitha ato leximet, filmimet të fletëve të votimit nëpërmjet një programi kompjuterik, i cili bazohet në inteligjencën artificiale do të bëjë leximin automatik të fletës votimi. Pra, do ta kuptojë ky sistem, duke përdorur inteligjencën artificiale, se për kë është votuar. Dhe rezultati, vjen automatikisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pa pritur që të bëhet tabulimi i rezultatit nga anëtarët e grupit të numërimit. Pra, çdo fletë votimi, vjen dhe pasqyrohet leximi i kësaj fletës votimi në komisionin qendror të zgjedhjeve, në serverat që janë instaluar tjetër pastaj në komisionin qendror të zgjedhjeve”, shpjegoi Celibashi.
Deri më tani, procesi ka vijuar pa asnjë problematikë dhe në të gjitja qendrat e votimit po aplikohet identifikimi elektronik.
“Në masën 81% QV-të janë hapur në orën 07:00, vetëm 19% e qendrave janë hapur rreth orës 07:00 dhe 08:00 të mëngjesit. 34% e komisioneve janë të përbërë me 7 anëtare, 18% me 6 anëtarë, 29% me 5 anëtarë. Vetëm në 3 QV në hapje të procesit të votimit, kishte mungesë të kuorumit, por u mundësua pasja e koriumit dhe ka nisur procesi i votimit. Deri në momentin që po flasim s’janë raportuar problematika në lidhje me procesin e votimit, nuk kemi asnjë problem të raportuar në lidhje me përdorimin e pajisjeve të identifikimit elektronik, 100% e QV janë me operator. Nuk kemi transmetim në kohë reale nga 18 QV, por ndërkohë jemi duke marrë informacionin në mënyrë alternative”, tha Celibashi.
Celibashi iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve për denoncimin e PD se zgjedhësit po intimdohen në Mat. Celibashi theksoi se është e ndaluar kategorisht që pranë QV të qëndrojnë persona të paautorizuar dhe se nëse do jetë nevoja do t’i drejtohen edhe organeve të ndjekjes penale.




















