Gjykata e shkallës së parë kundër Krimit dhe Korrupsionit sot më në fund i ka dhënë Ilir Metës të drejtë të marrë dosjen e tij dhe materialet ku ajo mbështetet akuza, në formatin print, pra një kopje fizike të saj. Ky është një vendim i drejtë por i vonuar, pasi ka penguar deri tani njohjen e të akuzuarit me provat ku pretendohet se mbështetet akuza.

E njëjta kërkesë po sot në të njëjtën gjykatë iu mohua Erion Veliajt. GJKKO pretendon se materialet mbështetëse për Veliaj janë rreth 60 mijë faqe dhe ata nuk pranojnë t’ia printojnë atij fizikisht.

Pasi situata degradoi në dy standarde të ndryshme brenda një dite dhe brenda një gjykate, SPAK ka njoftuar po sot se zotit Veliaj i janë vënë në dispozicion gjithë aktet e nevojshme dhe aktet shtesë përmes avokatit të tij. lexo ketu

Ky sqarim është një cinizëm i tepruar për një linçim të vetëdijshëm që SPAK dhe GJKKO po bëjnë ndaj një të akuzuari. Askush nuk thotë që avokatët e Veliajt nuk i kanë marrë materialet me USB. Ata mund t’ia japin dhe një USB Erion Veliajt sikur ai të lejohej ta përdorte atë në burg.

Por Drejtoria e Burgjeve, në bazë të rregullores së saj, e konsideron futjen e një USB në burg vepër penale dhe Veliaj ka nevojë të njihet personalisht me akuzën pasi është një e drejtë kushtetuese e tij.

Tallja me një kërkesë legjitime, që është bazike dhe mbi të cilën ngrihet gjithë procesi, tregon se përveç mungesës së dëshirës për të zbatuar ligjin, brenda SPAK ka prokurorë që inatet e tyre personale dhe politike duan t’i çojnë deri në fund duke shkelur me të dy këmbët një të drejtë kushtetuese.

Kërkesa është e qartë dhe e thjeshtë: Erion Veliaj kërkon ose një dosje të printuar fizikisht, siç e fitoi sot të drejtën Ilir Meta, ose një vendim gjykate që atij i lejohet një laptop dhe një USB offline, që të lexojë akuzën në qeli.

Erion Veliaj nuk është i lirë, si duhet të ishte, që të ketë mundësi të përdorë USB që SPAK paskësh dhënë te avokati. Kjo ligësi për t’u dukur sikur ia kanë plotësuar kërkesën është e tepërt. SPAK dhe GJKKO duhet të ruajnë standardin kushtetues të barabartë për çdo të akuzuar. Është gjë shumë e mirë që Ilir Meta e fitoi këtë të drejtë sipas burimeve nga gjykata, por kjo e drejtë i takon kujtdo që është i paraburgosur dhe nuk ndiqet në gjendje të lirë.

Është fare e thjeshtë: një vendim i GJKKO që lejon Veliajn të ketë kompjuter dhe të përdorë USB në burg, ose një karrocë me 60 mijë faqe të printuara në qelinë e tij. Pa këtë nuk ka zbatim të detyrimeve kushtetuese nga SPAK dhe GJKKO.

E njëjta gjë vlen dhe për standardin kushtetues për të cilin kryeministri ka çuar në Gjykatë Kushtetuese çështjen Balluku.

Ky standard kushtetues u shkel së pari në rastin Veliaj. Ndërsa në rastin Balluku, debati bëhet nëse mund të pezullohet apo jo Balluku si ministre dhe zëvendëskryeministre, dhe nuk diskutohet që ajo nuk mund të pezullohet si e zgjedhur; në rastin Veliaj është fare e qartë: është pezulluar nga puna si i zgjedhur. Pra SPAK e ka arrestuar atë në zyrën e punës, jo në kushte flagrante, por duke përuruar një kopësht.

Rrëmbimi nga zyra në qeli, nëntë muaj para ngritjes së akuzës, është de facto pezullim i tij fizik nga detyra. Nëse Edi Rama ka një javë që numëron 34 shkresa që duhet të firmosen nga Balluku, po ta çosh këtë gjë në Bashkinë e Tiranës mund të bëhen 3 mijë shkresa, nëse Veliaj nuk do pranonte të delegonte firmën.

Kur Gjykata Kushtetuese vendosi që Veliaj nuk mund të shkarkohet nga detyra, GJKKO, që e ka arrestuar duke e pezulluar praktikisht nga puna, duhet të mblidhej urgjent dhe ta kthente në zyrë deri në përfundim të gjykimit. Nuk e bëri, dhe çdo ditë që nuk e bën, është duke shkelur ligjin.

Gjykata Kushtetuese nuk merr vendime ekzekutive. Ajo shprehet për kuadrin kushtetues të shkeljes së lirive njerëzore apo të drejtave kushtetuese. Është shprehur qartë që kryetarin e Bashkisë së Tiranës nuk mund ta shkarkoni, ndërkohë që praktikisht e kanë pezulluar nga puna duke e mbajtur në qeli dhe nuk e kthejnë. Komisioni i Venecias e ka dhe me tue qart dhe më të prerë ne raportin e tij duke marrë së fundmi rastin e Turqisë.

Mendoni tani që Gjykata Kushtetuese të shprehet kundër pezullimit të zonjës Balluku nga detyra e saj si ministre- çka është një normë e zakonshme juridike- dhe GJKKO përsëri si në rastin Veliaj, të mos mblidhet dhe ta kthejë këtë në vendim, duke urdhëruar heqjen e pezullimit, duke e zhveshur praktikisht Gjykatën Kushtetuese nga autoriteti i saj.

Kjo histori po na fut pak nga pak në një spirale të rrezikshme, ku SPAK dhe GJKKO jo vetëm nuk përfillin të drejtat themelore të qytetarëve, por as vendimet që burojnë nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese. Këtu pastaj jemi në kushtet e paralizës institucionale të drejtësisë, nga mosrespektimi i standardeve të njëjta për të njëjtat raste, duke e kthyer drejtësinë shqiptare në një drejtësi voluntariste, që nuk lidhet me ligjet dhe kushtetutën, por me oreksin e një prokurori të SPAK apo ndonjë gjyqtari të përgjuar të GJKKO-së./TEMA