Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, zhvilloi sot një takim pune me z. Sameh Naguib Wahba, Drejtor Rajonal i Praktikës për Planetin në Bankën Botërore, si dhe me ekipin teknik të saj, në kuadër të projektit “Qëndrueshmëria ndaj Klimës dhe Zhvillimi i Bujqësisë” (CRAD).
Ministri Salla vlerësoi bashkëpunimin 33-vjeçar ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Botërore, duke theksuar kontributin e vazhdueshëm të institucionit në mbështetjen e reformave dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit bujqësor.
Ministri nënvizoi rëndësinë strategjike të projektit CRAD, veçanërisht në drejtim të bujqësisë inteligjente, forcimit të kapaciteteve laboratorike dhe zhvillimit të klasterit të ullirit.
U vlerësua progresi i bërë për krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet”, një nismë e financuar nga Qeveria Shqiptare dhe e mbështetur teknikisht nga Banka Botërore. Konsorciumi synon bashkimin e 50 fermerëve dhe aktorëve të tjerë të zinxhirit të vlerës për prodhimin dhe tregtimin e vajit të ullirit me markën “Made in Berat”, duke krijuar një brend të qëndrueshëm shqiptar për tregjet vendase dhe ndërkombëtare.
Përveç Beratit, pesë bashki të tjera , Fier, Gjirokastër, Elbasan, Lezhë dhe Vlorë, janë përzgjedhur si zona pilot për ngritjen e konsorciumeve të ngjashme, duke ndërtuar themelet e një rrjeti kombëtar bashkëpunimi në bujqësi dhe rritur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare.
Në takim u diskutuan gjithashtu mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm, si: studimi i parafizibilitetit për sigurinë e digave, investimet në sigurinë ushqimore dhe laboratorët, zgjerimi i bujqësisë inteligjente përtej zonës pilot, si dhe vijimi i ndërhyrjeve në sistemin ujitës të Lushnjës.
Ministri Salla shprehu angazhimin maksimal për përmbylljen me sukses të Misionit të Vlerësimit të Mesëm që do të zhvillohet brenda muajit dhjetor, si dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin me Bankën Botërore në funksion të zhvillimit afatgjatë të sektorit bujqësor dhe rural në vend.

















