Ka përfunduar procesi i numërimit të votave të 95.19% të votave për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet zyrtare, sipas të cilave fituese del Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas rezultateve, Vetëvendosje renditet e para, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës në vendin e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës në vendin e tretë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në vendin e katërt.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezultatet janë si më poshtë:
Lëvizja Vetëvendosje: 49.79%
• Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 21.18%
• Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 13.77%
• Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): 5.74%
• Lista Serbe: 3.87%
• Nisma Socialdemokrate: 1.72%
Sipas të dhënave janë ende pa numëruar rreth 60 mijë vota ndërsa mbetet ende e paqartë se si do të formohet qeveria e re.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën të dielën, më 28 dhjetor, ku mbi 1.9 milionë qytetarë kishin të drejtë vote. Procesi i votimit u zhvillua në 910 qendra votimi me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00. Sipas të dhënave paraprake, pjesëmarrja në votime ishte rreth 45 për qind.
Zgjedhjet u organizuan pas një periudhe të gjatë krize politike dhe mungesës së një qeverie funksionale, pasi forcat politike nuk arritën të krijonin një koalicion qeverisës pas zgjedhjeve të mëparshme. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili votoi në Prishtinë, deklaroi se përpjekjet për formimin e koalicionit dështuan, duke ia lënë vendimin qytetarëve përmes votës.




















