Qytetarë nga troje të ndryshme shqiptare, me flamuj kuq e zi e këngë patriotike, po qëndrojnë në sheshin “Skënderbeu”, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për protestën që kërkohet drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Sipas tyre, katërshja në Hagë po gjykohen padrejtësisht, dhe sot po protestojnë duke kërkuar drejtësi, duke shpresuar që të lirohen sa më parë.

Qytetari nga Zajazi, Vedat Ashkmedi tha për KosovaPress, se ata të cilët sollën lirinë po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Ai kërkon që të dëgjohet zëri i popullit.

“Sot kemi ardhur të kërkojmë drejtësi për çlirimtarët, jemi bashkë me shokë gjashtë persona.. I përkrahim, më vjen keq që sot kërkoj liri për çlirimtarët. Ata të cilët na sollën lirinë padrejtësisht i mbajnë në Hagë, me këmbëngulje kërkoj që ata të lirohen sa më shpejtë. Zëri im do dëgjohet por si individual, mendoj kësaj radhe të dëgjohet zëri i popullit”, tha ai.

Vezir Ademi nga Gostivari tha se procesi në Hagë është i padrejtë.

“Kemi ardhur në protestë se ia vlen për krerët e UÇK-së, mendoj se do ia dalim. I padrejtë, është proces i padrejtë, shpresojmë se po”, tha Ademi.

Ndërsa, Bardhi nga Lipjani shtoi se kjo është protesta e pestë që merr pjesë.

Sipas tij, procesi në Hagë është me iniciativë të Serbisë, porse shpreson se do të lirohen.

E qytetari nga Tetova, Haki Hasani tha se duhet të lirohen të pafajshmit.
Qytetari tjetër nga Dibra e madhe, Etnik Sylejmani u shpreh se arsyeja pse ai sot po proteston është babai i tij, i cili është veteran, dhe po kërkon drejtësi dhe liri për bashkëluftëtarët e babait.

Protesta masive janë mbajtur edhe në Hagë, Strasburg, Tiranë e Prishtinë dhe sot po përmbyllet në qytetin e Shkupit.