Kryeministri Edi Rama ka përcjellë mesazhin e tij të Vitit të Ri 2026, duke vënë theksin te arritjet e dekadës së fundit, integrimi europian, transformimi i infrastrukturës dhe zhvillimi ekonomik e digjital i vendit.

Në fjalën drejtuar qytetarëve, Rama u shpreh se viti që po mbyllet e gjen Shqipërinë “më lart se në ditën kur hyri”, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen elektorale dhe 83 mandatet e dhëna qeverisë.

“Gjatë rrugëtimit të këtij viti, shumica prej jush i dha qeverisë sonë fuqinë e jashtëzakonshme të 83 mandateve,” – u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se kjo mbështetje do të shërbejë për realizimin e objektivit madhor të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Do të bëjmë për Shqipërinë, në katër vitet e ardhshme, gjithçka duhet që ta ngremë flamurin tonë kombëtar, në oborrin e Shtëpisë së Bashkimit Europian.”

Rama renditi një sërë arritjesh që, sipas tij, kanë ndryshuar imazhin dhe realitetin e vendit, nga organizimi i takimeve të nivelit të lartë ndërkombëtar, te turizmi dhe infrastruktura.

“Kemi bërë realitet një Shqipëri tjetër, ku këtë vit u mblodhën krejt udhëheqësit e Europës Demokratike.”

Ai u ndal edhe te zhvillimi i infrastrukturës rrugore dhe turistike, duke përmendur rrugën e Arbrit, Vermoshin, Thethin, Valbonën, si edhe rilindjen e qyteteve historike.

“Numrat e turistëve kanë arritur në shifra që nuk imagjinoheshin kur nisi kjo dekadë.”

Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua qeverisjes digjitale dhe platformës e-Albania.

“Shqipëria ka ngjitur plot 54 vende, duke u renditur e 14-ta ndër 197 vende të botës për qeverisjen digjitale.”

Sipas Ramës, e-Albania u ka kursyer qytetarëve “620 milionë euro dhe 7 500 vjet radhë nëpër sportele”.

Kryeministri përmendi gjithashtu sigurinë kibernetike, energjinë dhe sovranitetin energjetik, duke theksuar se vendi synon të mos importojë më energji brenda këtij mandati.

“Do ta mbërrijmë brenda këtij mandati […] për të mos harxhuar më asnjë qindarkë për të importuar energji nga jashtë.”

Në planin europian, Rama deklaroi se Shqipëria e mbyll vitin si pararendëse e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“Ky vit mbyllet për Shqipërinë […] me ngjitjen e Shqipërisë në pozicionin e front-runner të integrimit.”

Në përmbyllje, Kryeministri u shpreh optimist për të ardhmen dhe uroi qytetarët për Vitin e Ri.

“Kohën e re të Shqipërisë nuk e kthen dot më mbrapsht askush… Gëzuar, kudo ku jeni, me shëndet dhe mbarësi në vitin që po hyn në derë.”