Nga Namir Lapardhaja
Më shumë se sa Berishën, lëvizja e Salianjit ka vënë në siklet ata që janë rrotull tij dhe që i kanë përfituar të githë privilegjet e derisotshme vetëm duke i shprehur besnikërinë atij.
Jo se Salianji nuk mund ta bëjë atë që ata bëjnë, por se me lëvizjen dhe retorikën e tij u ka hapur punë: tani u duhet të ngrihen edhe ata shpejt, të shkojnë në zonat e tyre, të takojnë e të flasin me njerëz, t’i dëgjojnë, t’u qajnë hallet, të dalin në media e të bëjnë opozitë.
Është e qartë që në këto kushte ku ndodhet PD dhe Berisha, ky i fundit do të jetë i gatshëm t’i japë gjithçka Salianjit përveç karriges së tij. Mirëpo, nëse ambicia e tij e çoi një herë Salianjin drejt burgut, imagjino në kushtet kur do të ketë edhe mbështetje në bazën e demokratëve, në opinion publik, infrastrukturë të ngritur mediatike etj.!!!
Këtë gjë e di edhe Salianji edhe Saliu!
Shto këtu që një herë ia ka treguar ‘drurin’ Doktorit dhe, siç thotë populli, ai që ta tregon një herë, ta tregon gjithmonë.
Mos të harrojmë një faktor tjetër në atë lëvizje që është Ilir Alimehmeti, i cili, nëse do të ishte pak më i vetëdijshëm për peshën dhe vlerën e tij në opinion publik, do duhej të kishte edhe ai një rol më protagonist dhe më në qendër të lëvizjes, mirëpo kjo puna e njohjes së vlerave të vetvetes, duhet të kesh pak më shumë nga ajo që Salianji ka mjaftueshëm.
Gjithsesi, ekuacioni është mjaft interesant deri në momentin që Berisha nuk ‘pret’ kokat e Mulit dhe Bardhit dhe i thotë Salianjit: Zgjidh, çfarë do?!
Ngelet për t’u parë përgigjja që do të vijë.




















