Komisioni për Median dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi këtë të hënë në një dëgjesë publike në kuadër të hartimit të ligjit të ri për mediat, ku u diskutuan ndryshimet e propozuara për të forcuar lirinë e shprehjes dhe për të garantuar mbrojtjen e gazetarëve. Dëgjesa u zhvillua me praninë e ekspertëve, përfaqësuesve të organizatave të gazetarëve dhe aktorëve të shoqërisë civile, duke u konsideruar një hap i rëndësishëm drejt një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.

Në fjalën e saj në hapje të dëgjesës, kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, theksoi se liria e shprehjes mbetet një nga çështjet më të ndjeshme për Shqipërinë, si në raport me standardet demokratike, ashtu edhe në procesin e integrimit europian. Ajo nënvizoi se shqetësimet për media reflektohen qartë edhe në raportet e fundit të Bashkimit Europian, të cilat kërkojnë përmirësim të kuadrit ligjor dhe praktikës institucionale.

“Gazetarët janë rojtarë të interesit publik dhe garantë të transparencës. Detyra jonë institucionale dhe politike është t’u ofrojmë mbrojtje reale dhe efektive,” u shpreh Tabaku, duke shtuar se ndryshimet ligjore duhet të synojnë krijimin e një klime ku gazetaria e pavarur të ushtrohet pa presion dhe frikë.

Procesi i nisur, sipas kryetares, nuk kufizohet vetëm në ndërhyrje teknike, por synon një reformë të gjerë në përputhje me praktikat më të mira europiane. Në fokus janë trajtimi i padive strategjike kundër gazetarëve (SLAPP), rishikimi i legjislacionit për median audiovizive dhe krijimi i një kuadri të qartë ligjor që përcakton statusin dhe garancitë e gazetarit, sipas rekomandimeve të partnerëve europianë.