Nga Besmir Semanaj
Zjarri në Parlament për të Shuar të Vërtetën: Shërbimi i Fundit i Berishës për Ramën dhe Ballukun
Sot Partia Demokratike i vuri flakën Parlamentit. Militantët u eksituan, brohoritën, u ndjenë “në luftë”. Por ajo që nuk kuptuan – ose refuzuan ta kuptojnë – është se kjo nuk ishte revoltë. Ishte skenar.
Një skenar i pastër, i ftohtë dhe i përgatitur në mënyrë perfekte nga Berisha dhe Rama, ku fituesi real nuk është opozita, por Belinda Balluku dhe qeveria.
Sherri, flakadanët dhe kaosi në sallë nuk ishin aksident. Sipas rregullores, pas kësaj shfaqjeje deputetët përjashtohen nga seancat dhe nga komisionet për një periudhë të caktuar. Dhe ja ku qëndron thelbi:
kjo i nxjerr me vetëdije të plotë deputetët e PD-së jashtë Komisionit të Mandateve, pikërisht aty ku SPAK pritej të shpaloste faktet dhe dosjen e Ballukut.
Pra, opozita u largua vetë nga fusha e betejës, në momentin kur loja po bëhej serioze.
PD përdori “indinjimin” për Avokatin e Popullit – një post pa asnjë peshë reale politike – si justifikim për të djegur 5 votat që i takojnë me ligj në Komisionin e Mandateve.
Dhe bashkë me to dogji edhe mundësinë për të parë dosjen e plotë, për të ngritur përgjegjësi dhe për të ekspozuar të vërtetën.
Kjo nuk është paaftësi. Kjo është strategji.
Dy ditë më parë e thashë publikisht: PD nuk do ta votonte heqjen e mandatit të Ballukut. U sulmova në studio, u quajta i ekzagjeruar, u quajta i njëanshëm. Sot nuk keni më nevojë për fjalë, nuk keni gjurmët e ujkut para syve, keni ujkun.
Ky status po bëhet sot për një arsye të thjeshtë:
që nesër askush të mos thotë “nuk e dinim”.
Partia Demokratike, me këtë akt, i ka bërë mbrojtjen më të madhe Edi Ramës. Jo me votë kundër, por me sabotim. Jo me fjalë, por me kaos. Jo duke u përballur me dosjen, por duke u larguar prej saj.
Zjarri në Parlament nuk ishte akt guximi.
Ishte perde tymi për të shpëtuar pushtetin.
Dhe kush ende nuk e sheh këtë, ose po mashtrohet… ose po zgjedh të mos shohë.




















