Një vajzë shqiptare, Anila Skeja, kandidon në zgjedhjet lokale të majit që do të mbahen në Angli nën siglën e Partisë Konservatore, një parti e qendrës së djathtë.

Kandidatura e saj në një nga këshillat komunalë të Londrës, Barnet, është përshëndetur të dielën nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili në një postim në rrjetet sociale shpreh krenarinë për komunitetin shqiptar në Angli që prej kohësh ka qenë objekt sulmesh të padrejta dhe lajmesh, sipas tij, të fryra artificialisht.

“Sot për ironi me ata politikanë dhe me krenari për komunitetin shqiptar në Angli, veçanërisht në kryeqytetin Londër, një vajzë shqiptare Anila Skeja kandidon për Partinë Konservatore, partinë e Ëinston Churchill dhe Margaret Thatcher, në një nga këshillat komunalë të Londrës, Barnet. Kjo është përgjigjia më kuptimplotë e komunitetit shqiptar për ato sulme të ulta. Si Anila kudo në Angli, Skoci, Uells ka plot bashkëatdhetarë të tjerë që po marrin përgjegjësi përfaqësimi me parti të ndryshme. Shqiptarë si Andi Hoxhaj po nderohen me tituj mbretërorë nga vetë Mbreti Charles. Ata po shkëlqejnë kudo, në ekonomi, ndërtimtari, sport, art, kulturë etj” shkroi Balla në Facebook, duke i bërë thirrje komunitetit shqiptar në Barnet të mbështesin Anila Skejën.

Postimi i plotë i Ballës në Facebook

“Dy, tre vite më parë, dy, tre ministra britanikë dhe shumë media të këtij vendi mik dhe partner i rëndësishëm u angazhuan dhe vunë nën shënjestër me sulme te padrejta dhe lajme të fryra artificialisht komunitetin shqiptar në Angli. Nuk po i rikthehem atij debati, as me emra, sepse koha, marrëveshjet, puna e përbashkët shumë efektive tregoi se ajo furtunë në gotë ishte më shumë narrativë zgjedhore brenda dhe jashtë konservatorëve, në atë kohë në qeverisje, sesa e bazuar në shifrat e vërteta të peshës që zënë shqiptarët në ishull. Sot për ironi me ata politikanë dhe me krenari për komunitetin shqiptar në Angli, veçanërisht në kryeqytetin Londër, një vajzë shqiptare Anila Skeja kandidon për Partinë Konservatore, partinë e Winston Churchill dhe Margaret Thatcher, në një nga këshillat komunalë të Londrës, Barnet. Kjo është përgjigjia më kuptimplotë e komunitetit shqiptar për ato sulme të ulta. Si Anila kudo në Angli, Skoci, Uells ka plot bashkëatdhetarë të tjerë që po marrin përgjegjësi përfaqësimi me parti të ndryshme. Shqiptarë si Andi Hoxhaj po nderohen me tituj mbretërorë nga vetë Mbreti Charles. Ata po shkëlqejnë kudo, në ekonomi, ndërtimtari, sport, art, kulturë etj. Prandaj thirrja ime sot për shqiptaro-britanikët e Barnet, Londër është të mbështesin Anila Skejën.”