Në dëgjesën me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, qeveria prezantoi masat e reja mbështetëse për bujqësinë, duke vënë theksin te rritja e ndjeshme e fondeve dhe eficienca më e lartë e skemave ekzistuese. Në takim morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Ministri i Financave, Petrit Malaj dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku deklaroi se në vitin 2025 janë vënë në dispozicion mbi 600 milionë lekë për skemat mbështetëse, të cilat janë përthithur në masën 95%. Sipas saj, kjo tregon se skemat janë bërë më të kuptueshme dhe më të aksesueshme për fermerët. Ajo theksoi gjithashtu se buxheti për vitin 2026 do të jetë më i madhi historik i akorduar ndonjëherë për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi se në shtator pritet hapja e programit IPARD 3, me një fond prej 118 milionë eurosh për sektorin bujqësor. Ai theksoi se bujqësia konsiderohet sektor prioritar dhe se mbështetja financiare është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, nga 34 milionë euro në vitin 2013 në 162 milionë euro në vitin 2025. Sipas tij, eksportet bujqësore janë rritur nga 120 milionë euro në mbi 500 milionë euro, ndërsa sipërfaqet e serrave dhe tokave të ujitura janë zgjeruar ndjeshëm, nga 700 hektarë serra në mbi 2 100 hektarë dhe nga 120 mijë hektarë tokë të ujitur në rreth 300 mijë hektarë, nga 360 mijë hektarë që është totali i sipërfaqes së ujitur në vend.

Malaj prezantoi gjithashtu katër shtyllat kryesore të mbështetjes për vitin 2026: 20 milionë euro për grante, 31 milionë euro subvencione direkte për fermerët, garanci sovrane për kredi me interes 2%, ku shteti mbulon rreth 70% të vlerës së kredisë, si dhe kompensim të TVSH-së në masën 10% për produktet e shitura, duke nisur nga janari 2026.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se deri më tani janë zhvilluar 18 nga 23 dëgjesat e planifikuara me fermerët në të gjithë vendin dhe se sugjerimet e tyre po reflektohen në skemën përfundimtare. Ai theksoi se rreth 52 milionë euro do të jenë grante direkte dhe se po rishikohen kriteret për sektorë të veçantë si blegtoria dhe bletaria, si dhe procedurat për tokat me qira dhe certifikatat e pronësisë.

Dëgjesat për Skemën Kombëtare 2026 do të vijojnë në të gjitha qarqet e vendit, me synimin që politikat mbështetëse të ndërtohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me fermerët dhe të reflektojnë nevojat reale të sektorit bujqësor. Skema synon të rrisë konkurrueshmërinë e bujqësisë shqiptare, të lehtësojë aksesin në financim dhe të përgatisë sektorin për tregjet evropiane, në një moment kur mbështetja financiare dhe investimet janë në nivelin më të lartë historik.