Fillimi i vitit 2026 është kthyer në një makth për udhëtarët në Evropë, me fluturime të shumta të anuluara dhe me vonesë.

Kushtet e rënduara të motit kanë shkaktuar kaos të madh në transportin ajror në disa vende të Evropës, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte. Reshjet e dendura të borës, ngricat dhe erërat e forta kanë ndikuar drejtpërdrejt në operacionet ajrore në Holandë, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe vende të tjera evropiane.

Stuhitë kanë ulur ndjeshëm dukshmërinë në pista, kanë vështirësuar pastrimin e borës dhe kanë krijuar kushte të rrezikshme për ngritje dhe ulje avionësh.

Si pasojë, shumë aeroporte janë detyruar të reduktjnë fluturimet ose t’i pezullojnë përkohësisht për arsye sigurie.

Meteorologët raportojnë se temperaturat e ulëta dhe frontet e ftohta kanë përfshirë Evropën Perëndimore dhe Veriore, duke sjellë reshje bore edhe në zona ku nuk janë të zakonshme.

Situata është përkeqësuar nga ngricat gjatë natës, të cilat kanë shkaktuar akull në pista dhe vonesa të gjata në menaxhimin e trafikut ajror.

Rreth 612 fluturime janë anuluar vetëm nga kompanitë KLM, Air France dhe EasyJet për shkak të përhapjes së motit ekstrem dimëror dhe problemeve operative në aeroporte si Amsterdam Schiphol, Paris Charles de Gaulle dhe London Heathrow.

Ekspertët theksojnë se siguria mbetet prioriteti kryesor, ndaj çdo vendim për anulime apo vonesa merret për të shmangur rreziqe më të mëdha në kushte ekstreme atmosferike.