Në kundërshtim me idenë e përhapur gjerësisht, zemra e njeriut mund të rigjenerohet pjesërisht pas një infarkti.

Studiuesit e udhëhequr nga Universiteti i Sidnejt kanë vërejtur se qelizat e muskulit të zemrës fillojnë të riprodhohen pas një dëmtimi të tillë, megjithëse ato nuk janë në gjendje të parandalojnë plotësisht formimin e disa indeve, të cilat më pas dëmtojnë efikasitetin e zemrës.

Zbulimi, i botuar në revistën ”Circulation Research”, hap mundësi të reja për terapitë rigjeneruese për sëmundjet kardiovaskulare, shkaku kryesor i vdekjes në nivel global.

Studiuesit e udhëhequr nga Robert Hume ishin në gjendje të përdornin, për herë të parë, mostra të indeve të gjalla të zemrës njerëzore të marra nga pacientët që i nënshtrohen një operacioni bajpas, një procedurë kirurgjikale që synon rivendosjen e rrjedhjes së gjakut duke anashkaluar arteriet e bllokuara.

Falë këtyre mostrave, autorët e studimit ishin në gjendje të renditnin molekulat e ARN-së, të cilat mbajnë udhëzimet për ndërtimin e proteinave të koduara në ADN, duke vëzhguar nga afër metabolizmin e indit kardiak.
Të dhënat treguan për herë të parë se, pas një infarkti, ndarja dhe përhapja e qelizave të muskulit të zemrës në të vërtetë rriten, një fenomen i vërejtur më parë vetëm tek minjtë.

“Ndërsa ky zbulim i ri në lidhje me rigjenerimin e qelizave muskulore është emocionues” komenton Hume

”Por, ai nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar efektet shkatërruese të një ataku në zemër. Prandaj, shpresojmë që me kalimin e kohës të zhvillojmë terapi që mund të përforcojnë aftësinë natyrore të zemrës për të prodhuar qeliza të reja dhe për t’u rigjeneruar”, shton ai.