Pas inaugurimit më 19 shkurt në Uashington, Bordi i Paqes ka hapur faqen zyrtare të internetit. Në të janë publikuar edhe 28 shtetet themeluese ku figurojnë Kosova e Shqipëria si anëtare.

Konkretisht shtetet anëtare janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kosova, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Izraeli, Egjipti, Jordania, Kazakistani, Uzbekistani, Paraguai, Maroku, si dhe vende të tjera nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine.


Në Kartën e Bordit, renditen të gjitha parimet dhe synimet e tij.

“Duke deklaruar se paqja e qëndrueshme kërkon gjykim pragmatik, zgjidhje të shëndosha dhe guxim për të lënë pas qasje dhe institucione që shpesh kanë dështuar;

Duke njohur se paqja e qëndrueshme mbillet kur njerëzit fuqizohen për të marrë pronësi dhe përgjegjësi mbi të ardhmen e tyre;

Duke pohuar se vetëm partneriteti i qëndrueshëm dhe i orientuar nga rezultatet, i bazuar në barrë dhe angazhime të përbashkëta, mund të sigurojë paqen në vende ku ajo ka qenë për një kohë të gjatë e paarritshme;

Duke u pikëlluar që shumë qasje për ndërtimin e paqes nxisin varësi të përhershme dhe institucionalizojnë krizën, në vend që të udhëheqin njerëzit përtej saj;

Duke theksuar nevojën për një organ ndërkombëtar më të shpejtë dhe efektiv për ndërtimin e paqes; dhe

Duke vendosur të formohet një koalicion shtetesh të gatshme, të përkushtuara për bashkëpunim praktik dhe veprim efektiv,

Të udhëhequra nga gjykimi dhe duke nderuar drejtësinë, palët miratojnë Kartën e Bordit të Paqes”, thuhet në deklaratë.

Në faqe është vendosur edhe thënia e Trump për Bordin: “Ky Bord ka mundësinë të jetë një prej organeve më veprues të krijuar ndonjëherë”.

Gjithashtu, është shprehur qartazi edhe misioni, ku thuhet se kjo organizatë synin stabilitet e paqe në zonat e prekura nga lufta. Bordi do të ndërtojë paqen në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

“Bordi i Paqes është një organizatë ndërkombëtare që synon të promovojë stabilitetin, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të ligjshme, dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi do të kryejë funksione të tilla për ndërtimin e paqes në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe sipas asaj që mund të aprovohet në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe shpërndarjen e praktikave më të mira që mund të zbatohen nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe”, përcakton misioni.

Në hapësirat përkatëse është bërë edhe ndarja për Bordin e Paqes, Bordin Ekzekutiv, Bordin Ekzekutiv të Gazës dhe Përfaqësuesin e Lartë të Gazës.

Gjithashtu, në Planin e Paqes për Gazën janë renditur vendet që do të kontribuojnë financiarisht, ndërsa Shqipëria e Kosova renditen te vendet që do të dërgojnë trupa për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF).