Pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Gjirokastra tërheq vizitorë nga e gjithë bota për arkitekturën e saj të veçantë, rrugicat me kalldrëm dhe shtëpitë tipike me çati guri.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndau sot foto nga Gjirokastra, perla e jugut të Shqipërisë, ku tradita dhe bukuria natyrore bashkohen nën hijen e kalasë madhështore.
Një nga atraksionet kryesore është Kalaja e Gjirokastrës, e ndërtuar në shekullin e 12-të, që dominon qytetin dhe ofron pamje panoramike mbi luginën e Drinos. Brenda kalasë ndodhet Muzeu i Armëve, ku ruhen eksponate historike që pasqyrojnë ngjarjet dhe luftërat që kanë shënjuar historinë e rajonit.
Gjirokastra njihet gjithashtu për kulturën dhe traditat e saj folklorike. Festimet dhe aktivitetet kulturore, tërheqin artistë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe bota.
Qyteti është vendlindja e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare dhe ruan atmosferën e vjetër osmane, duke e bërë një destinacion të veçantë për ata që kërkojnë jo vetëm bukuri natyrore, por edhe histori dhe kulturë.
Vizitorët mund të eksplorojnë edhe shtëpitë muze të qytetit, si Shtëpia e Kadaresë, që ofron një pasqyrë të jetës dhe veprës së shkrimtarit.
Gastronomia lokale, e bazuar në produkte vendase dhe receta tradicionale, plotëson përvojën e vizitorëve, duke e bërë Gjirokastrën një destinacion të plotë turistik dhe kulturor.




















