Zv.kryeministri, njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca gjatë takimit me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ka bërë me dije se dialogu Kosovë-Serbi do të jenë nën udhëheqjen e ministrisë që ai drejton.
Gjatë takimit mes tyre, dyshja ka biseduar mbi momentin aktual ku ndodhet dialogu mes dy vendeve.
“Konjufca e informoi z. Sørensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, thuhet në njoftim.
Konjufca ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.




















