Ish-Presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, po dëshmon aktualisht para ligjvënësve amerikanë lidhur me marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein.
Seanca e pyetjeve po zhvillohet me dyer të mbyllura, por ne do t’ju sjellim çdo përditësim që marrim gjatë ditës.
Ndërkohë, një ditë më parë ka dëshmuar edhe bashkëshortja e tij, Hillary Clinton.
Hillary Clinton dëshmoi para një komiteti të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, në një seancë të mbyllur rreth gjashtë ose shtatë orë, si pjesë e hetimit mbi Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtorët e tij.
Ajo deklaroi se nuk ka pasur ndonjë dijeni për krimet e Epstein apo Ghislaine Maxwell dhe tha se nuk e kujton se është takuar ndonjëherë me Epstein.
Clinton tha se nuk ka fluturuar në avionin e Epstein, nuk ka vizituar ishullin e tij apo pronat e tij, dhe nuk ka asnjë informacion që ndihmon hetimin mbi aktivitetet kriminale të tyre.
Ajo gjithashtu kritikoi komitetin e udhëhequr nga republikanët, duke thënë se dëshmia e saj po përdoret për të shqetësuar Presidentin Donald Trump dhe për të shpërqendruar vëmendjen, dhe e përshkroi procesin si “teatër politik”.




















