Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

KASH thekson se ky proces, në formën dhe narrativën që po merr, rrezikon seriozisht të deformojë realitetin historik dhe juridik të Luftës së Kosovës. Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ishte një reagim i ligjshëm dhe i domosdoshëm ndaj një fushate sistematike shtetërore të dhunës, spastrimit etnik dhe krimeve të luftës, të ushtruara nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, një regjim tashmë i dënuar moralisht dhe juridikisht nga komuniteti ndërkombëtar.
“Çdo përpjekje për të barazuar agresorin shtetëror me viktimën që luftoi për mbijetesë dhe liri, përbën një fyerje jo vetëm për popullin e Kosovës, por edhe për vetë ndërhyrjen ndërkombëtare të Perëndimit, e cila u ndërmor pikërisht për të ndalur krimet e luftës dhe gjenocidin në zemër të Evropës”.
“Ky proces i deformuar rrezikon, në mënyrë të papranueshme, të relativizojë dhe madje të amnistojë përgjegjësinë historike dhe politike të udhëheqjes shtetërore serbe për krimet e kryera në Kosovë. Një zhvillim i tillë do të ishte një padrejtësi e rëndë historike dhe një precedent i rrezikshëm për të drejtën ndërkombëtare.”, thuhet në reagimin e këtij këshilli.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë riafirmon mbështetjen e tij për drejtësinë ndërkombëtare të paanshme, por thekson se drejtësia nuk mund dhe nuk duhet të shkëputet nga e vërteta historike dhe konteksti i plotë i ngjarjeve.
“Çlirimi i Kosovës ishte akt legjitim i një populli të shtypur, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) mbetet një forcë çlirimtare, jo objekt i revizionizmit politik apo juridik”, thuhet më tej