Katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, pritet të thonë këtë të mërkurë fjalët e tyre përfundimtare në Hagë. Secili do të ketë në dispozicion nga 20 minuta për deklarimet para trupit gjykues.

Seanca ka nisur që prej orës 09:00 ku fillimisht, përfaqësuesi i viktimave ka kërkuar 20 minuta për parashtrimet përmbyllëse, ndërsa ekipet mbrojtëse do të kenë deri në 30 minuta për t’iu drejtuar gjykatës. Pas përfundimit të deklarimeve, trupi gjykues do të ketë tre muaj kohë për të marrë vendimin, me mundësi shtyrjeje për shkak të dosjes voluminoze.

Në Hagë pritet të jenë të pranishëm familjarë të shumtë, ndërsa pjesëmarrjen e ka paralajmëruar edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili do të deklarohet për media para hyrjes në Dhomat e Specializuara.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i kanë hedhur poshtë, duke u deklaruar të pafajshëm. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, rreth tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërsa që prej asaj kohe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Një ditë më parë, në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë u organizua një marshim qytetar në shenjë solidariteti kundër kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënimin e secilit prej tyre me nga 45 vjet burg. Në protestë morën pjesë presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, së bashku me përfaqësues të tjerë politikë, artistë, aktivistë dhe qytetarë.

Bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi, është shprehur se pret që ai dhe të tjerët të kthehen të pafajshëm në Kosovë. Pas vizitave në qendrën e paraburgimit në Sheveningen, ajo tha se “Rexha po mbahet i fortë dhe nuk dorëzohet”. Në një intervistë, ajo deklaroi se pret që të akuzuarit ta shfrytëzojnë të drejtën për fjalën përfundimtare, por shtoi se, sipas saj, Prokuroria e Specializuar po paragjykon luftën për liri dhe pavarësi.

Ndërkohë, këtë të mërkurë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi simbolike ku shfaqen tre të rinj me flamurin e Shqipërisë, të Kosovës dhe të UÇK-së. Rama nuk ka shtuar koment, por vetëm një fjalë, “Mirëmëngjes”, duke lënë imazhin të përcjellë mesazhin.