Kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE, Arbërie Nagavci, i dorëzoi Presidentes së Republikës së Kosovës propozimin për caktimin e Albin Kurtit si Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky hap vjen pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke shënuar fillimin e procesit drejt krijimit të qeverisë së re.

“Hapi i radhës është vazhdimi me përgjegjësi institucionale drejt formimit të qeverisë së re. Faleminderit qytetarëve për besimin!” – tha Nagavci.

Kujtojmë që sot nisi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e cila u drejtua nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV). Fillimisht u formua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Pas përfundimit të këtij procesi, deputetët e legjislaturës së dhjetë bënë betimin solemn, duke marrë zyrtarisht mandatin e tyre.

Në rend dite, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit u bë me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje, ku Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare me 66 vota. Seanca vazhdoi më pas me procedurat për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.