Kuvendi i Kosovës është duke bërë përgatitjet përfundimtare për seancën që pritet ta mbahet sonte, për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, seanca është caktuar për në orën 19:00.

Deri tani, në skenë kanë dalë dy emra, Glauk Konjufca e Andin Hoti, të cilët janë raportuar se do të propozohen nga Lëvizja Vetëvendosje për President të Republikës.

Më herët, sot, grupet parlamentare të partive mbajtën mbledhje lidhur me çështjen, ama teksa orët po kalojnë, ende nuk është arritur një dakordësi apo marrëveshje mes palëve për një emër të përbashkët.

Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe parlamentare, ende nuk ka propozuar zyrtarisht një emër për këtë post, ndërsa zyrtarët e kësaj partie sot gjatë gjithë ditës i janë shmangur pyetjeve të gazetarëve.

Po ashtu, edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se partia e tij s’ka një kandidat për President pa një marrëveshje paraprake. Ndërkaq, bisedimet e kryeministrit Albin Kurti me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje përfunduan pa një marrëveshje.

Nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues vendi shkon në zgjedhje dhe kjo do të ishte fatale për Kosovën, e cila në 2025 i është drejtuar disa herë kutive të votimit.

Andin Hoti, djali i veprimtarit dhe intelektualit të zhdukur Ukshin Hoti, mund të propozohet si kandidat për President të Kosovës. Ai sapo është bërë ministër në Qeverinë Kurti 3 dhe drejton dikasterin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Ndërkohë, më herët Glauk Konjufca, emri i përmendur dje si opsioni të cilin Vetëvendosja ka zgjedhur ta propozojë për President, nuk ka pranuar që të përfshihet në një proces pa konsensus mes partive politike.