Kuvendi i Kosovës, është mbledhur sërish këtë të enjte, 5 mars 2026, për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, një seancë kjo e cila dështoi.
Të pranishëm në këtë seancë ishin 65 deputetë dhe mungonin 55 të tjerë. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje deputetëve të vinin në seancë.
Ajo tha se deputetët e kanë detyrim të jenë të pranishëm sipas Kushtetutës së vendit dhe se ata nuk kanë marrë leje për të munguar.
Në mungesë të tyre, zgjedhja e presidentit është e pamundur, pasi nevojiten së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë.
“Nuk ka kuorum për ta vazhduar këtë seancë. Disa herë u bëra thirrje deputetëve të vijnë dhe të jenë të pranishme, por ata nuk janë të pranishëm dhe kështu nuk i kemi 2/3 e deputetëve. Nuk mund të vazhdojmë me votimin”, tha Haxhiu.
LVV ka propozuar dy kandidatura për postin e Presidentit, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçakun.
Zëvendëskryetari i Komisioni Parlamentar për Legjislacion, Vigan Qorrolli, tha se pas shqyrtimit të dokumentacionit të kandidatëve Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçaku për postin e presidentit, komisioni vlerësoi se mund të procedohet me nominimin e tyre në Kuvend.
Kujtojmë se sot është afati i fundit kur Kosova duhet t’i nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve, duke argumentuar se vetëm kështu mund të shmangen bllokadat politike në Kuvend. Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu e ka mbështetur kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, që presidenti i Kosovës të zgjidhet përmes votës së popullit.
Por, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të procedojë për votim amendamentet kushtetuese të propozuara nga Osmani. Arsyeja ishte mungesa e numrit të mjaftueshëm të deputetëve, veçanërisht nga komunitetet joshumicë, votat e të cilëve janë të domosdoshme për ndryshime kushtetuese.




















