Jeta në qytetet e mëdha shpesh lidhet me stresin: trafiku i rënduar, kostoja e lartë e jetesës dhe ritmi i shpejtë i përditshmërisë janë vetëm disa nga faktorët që ndikojnë te banorët.

Megjithatë, një studim i fundit tregon se jeta urbane nuk duhet domosdoshmërisht të jetë stresuese, nëse zgjidhet qyteti i duhur për të jetuar.

Sipas një analize të realizuar nga kompania Remitly, qyteti më pak stresues për të jetuar në botë është Eindhoven në Holandë. Studiuesit analizuan 170 qytete në mbarë botën, duke marrë parasysh disa faktorë kryesorë që ndikojnë në nivelin e stresit të banorëve, si koha mesatare e udhëtimit në trafik, ndotja e ajrit, kostoja e jetesës, cilësia e kujdesit shëndetësor dhe niveli i sigurisë.

Eindhoven rezultoi qyteti me nivelin më të ulët të stresit, falë një kombinimi faktorësh që e bëjnë jetën e përditshme më të balancuar. Qyteti është i njohur si një qendër e rëndësishme teknologjike dhe inovacioni, e lidhur historikisht me kompaninë Philips. Përveç zhvillimit teknologjik, ai investon edhe në projekte të qëndrueshme dhe synon të përdorë 100% energji të pastër deri në vitin 2045.

Në listën e qyteteve më pak stresuese për të jetuar renditen gjithashtu Kanberra, Talin, Trondheim, Bergen, Utreht, Groningen, Roterdam, Porto dhe Brisbane.

Në anën tjetër të listës, qyteti me nivelin më të lartë të stresit rezultoi New York City, kryesisht për shkak të kostos shumë të lartë të jetesës, ndërsa menjëherë pas tij renditet Dublin.

Studimi tregon se cilësia e jetës në një qytet varet nga shumë faktorë dhe se shpesh qytetet më pak të përmendura mund të ofrojnë një përditshmëri më të qetë dhe më të balancuar për banorët e tyre.