Kryeministri Albin Kurti ka rrëfyer para mediave negociatat me dy partitë kryesore të opozitës për zgjedhjen e Presidentit.
Ai tha se ishte takuar me krerët e PDK-së dhe LDK-së gjatë bisedimeve paraprake, por dy ditët e fundit ata nuk pranuan më të takoheshin.
“Me kryetarin Hamza jam takuar dy herë, me kryetarin Abdixhiku jam takuar tri herë. Që nga pardje nuk pranonin që të takoheshim më. Unë i falënderoj se edhe pse nuk jemi takuar ne kemi komunikuar në telefon. Pa ndërmjetësues. Kjo është atmosferë e mirë. Por, atmosfera e mirë nuk do të thotë marrëveshje politike”, tha Kurti.
Kreu I Vetëvendosjes deklaroi se refuzoi të pranonte një pakt me Partinë Demokratike të Kosovës, pa mësuar më parë emrin e kandidatit të saj për President.
“Mua mu tha nga kryetari i PDK-së që ata duan që kandidati të jetë nga PDK-ja, dhe ai të votohet nga ne. Unë i kam shpjeguar me dashamirësi se nuk mund të bëjë marrëveshje pa i ditur emrat, dhe e falënderoj Kryetarin Hamza i cili e ka kuptuar reagimin tim. Thash se unë e kam një emër, ju thash, Andin Ukshin Hoti. Andin Hoti ishte një propozim i yni, nuk u pranua.” – tha Kurti.




















