Këshilli i Ministrave miratoi të hënën, 30 mars, Skemën Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026, me një fond prej 2.5 mld lekësh apo rreth 25 mln euro, e cila do të rrisë mbështetjen me subvencione direkte për fermerët që mbarështojnë lopë, bagëti të imëta, bletë, derra dhe produkte të tjera bujqësore.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, krahasuar me vitin 2025, mbështetjet direkte janë rritur si më poshtë: Mbështetja për lopët: nga 10 mijë lekë për krerë që ishte më parë arrin në 12 mijë lekë për krerë.
Mbështetja për koshere bletësh: nga 10 mijë lekë që ishte më parë arrin në 20 mijë lekë. Mbështetja për bagëti të imëta: nga 1 mijë e 200 lekë arrin në 1 mijë e 500 lekë.
Për herë të parë, përfshihet mbështetja për dosët në sektorin e derrave. Mbështetja do të jetë 7 mijë lekë për dosë në një fermë me jo më pak se 5 dosa.
Skema e re do të jetë më gjithëpërfshirëse për sektorin e blegtorisë, pasi përgjysmon pragjet e numrit të kafshëve në fermë, për përfitim të subvencioneve:
Ferma me jo më pak se 5 lopë nga jo më pak se 10 lopë që ishte më parë. Ferma me 50 krerë të imëta nga 100 krerë që ishte në skemën e mëparshme.
Rritësit e bletëve me jo më pak se 25 koshere nga jo më pak se 50 koshere që ishte më parë.
Për kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera, mbështetja rritet në 70% të kostos së shpenzimeve, nga 50% që ishte më parë.
Skema e re synon të mbështesë më shumë fermerë dhe të rrisë efektivitetin e subvencioneve direkte për sektorin bujqësor.
Ndërsa një masë tjetër që na përafron me pagesat që zbatohen në BE është pagesa për sipërfaqe të mbjelle. Fermat me mbi 3 ha përfitojnë 10 mijë lekë për çdo ha të mbjellë
Edhe këtë vit, shoqëritë e bashkëpuninit bujqësor (SHBB) do të mbështeten në 100% të masës së përfitimit.
Mbështeten fermerë të rinj, për investime në ferma bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit është në 70% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë; Subjektet e rritjes së peshkut në ujërat e brendshme mbështetet me 200 mijë lekë për blerje rasati.




















