Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani ka bërë me dije se Tirana ka marrë një tjetër vlerësim ndërkombëtar, këtë herë nga Madrid.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ristani bën me dije se çmimi “FIA President’s Exceptional Award”, i është dhënë Tiranës pas shpalljes si Qyteti Europian i Sportit 2023.

Ky çmim vlerëson energjinë, punën dhe vizionin gjatë gjithë vitit 2023, duke e kthyer Tiranën në një qytet më aktiv dhe më të shëndetshëm për qytetarët.

“Me kënaqësi tërhoqëm çmimin “FIA President’s Exceptional Award” i cili iu dha Tiranës si Qyteti Europian i Sportit 2023, duke vlerësuar energjinë, punën dhe vizionin tonë gjatë gjithë atij viti, për një qytet më aktiv e më të shëndetshëm. Një moment i bukur për qytetin tonë, për të gjithë skuadrën që punoi pareshtur dhe për të gjithë ata që e bëjnë sportin pjesë të jetës së qytetit. Ky çmim është për të gjithë ju”, shkruan Ristani në reagimin e saj.

Ky vlerësim konsiderohet si një tjetër njohje ndërkombëtare për Tiranën, pas aktiviteteve të shumta sportive dhe organizimeve që u zhvilluan gjatë vitit kur kryeqyteti mbajti titullin Qyteti Europian i Sportit 2023.