Nga Mero Baze/
Andi Bushati, disa ditë më parë, hiqte një paralele mes frymës represive të SPAK rreth paraburgimeve dhe frymës represive të qeverisë në administrimin e burgjeve dhe shkeljeve të të drejtave të paraburgosurve, duke e ilustruar me rastin e Ilir Metës.
Duke i vënë në një peshore atë që bën SPAK me paraburgime abuzive, që noterizohen nga GJKKO, dhe atë që bën personeli i burgjeve, ai në një farë mënyre godiste ankesat e qeverisë ndaj paraburgimeve, duke e bërë atë bashkëfajtore në trajtimin e një të burgosuri me profil të lartë politik, siç është ish-presidenti Ilir Meta.
Sa i përket fakteve, ai ka të drejtë. Ilir Meta në Tiranë, ashtu sikundër Veliaj në Durrës, trajtohen me një regjim të veçantë, represiv, kufizues dhe në shumë raste poshtërues. Është e pakuptimtë, fjala vjen, kufizimi i Ilir Metës për ushtrime fizike, ajrosje apo deri tek banaliteti i furnizimit me fruta, të cilat i jepen me racion “se mos i bën raki”.
Por shpjegimi është përsëri tek SPAK.
Këta janë dy të burgosur të shënjestruar nga SPAK si “bast” personal i prokurorëve dhe ata duan që, me çdo kusht, të jenë brutalë në sjellje ndaj tyre. Dhe këtë mund ta bëjnë vetëm përmes Drejtorisë së Burgjeve, një institucion me traditë të vjetër korrupsioni, që është i shantazhueshëm nga SPAK në çdo moment për shkak të kthimit të burgjeve në një industri fitimprurëse për drejtuesit e tyre.
Mjafton të krahasohen kufizimet ndaj Veliajt dhe Metës me lehtësitë që marrin kriminelë të tjerë, që sigurojnë eksporte në burg apo e kanë shndërruar burgun në një kamp pushimi me trajtim special. Çdo gjë paguhet. Një celular i futur për një muaj, me dijeninë e administratës, shkon rreth 1500 euro; lehtësitë e tjera paguhen një për një.
Natyrisht, Ilir Metës dhe Erion Veliajt nuk mund t’u kërkohen para. Për këtë arsye, ata duan të duken “parimorë” dhe e tregojnë servilizmin ndaj SPAK duke i ndëshkuar ata.
Madje, me Veliajn këtë javë ka ndodhur edhe një rast më i rëndë, që ndoshta duhet ndjekur edhe penalisht. Kërkesa e tij e vazhdueshme që t’i jepej dosja hetimore më në fund u pranua nga GJKKO, e cila urdhëroi SPAK t’ia dorëzonte. Por skandali është bërë edhe më i madh.
Përfaqësuesi i SPAK ka shkuar me një karrocë me dosje në burgun e Durrësit, ia ka lënë drejtorit në zyrë dhe është larguar, duke i thënë: “Këtu i ka, po të dojë t’i marrë”.
Veliaj ka refuzuar t’i marrë pa inventar, po ashtu edhe avokatët e tij. I pandehuri duhet të njihet me kopjen e dosjes që shkon në gjykatë dhe kjo duhet t’i dorëzohet përmes një inventari të rregullt. Nuk ka asnjë arsye që personeli i burgut të marrë në dorëzim një karrocë me letra nga SPAK, vetëm që ky i fundit të thotë se e kreu detyrën. Kjo nuk shpjegohet përveçse me frikën dhe nënshtrimin ndaj shantazhit nga SPAK.
Prandaj, nuk është se faktet që thotë Bushati nuk qëndrojnë. Por arsyeja është edhe më e rëndë nga sa e paraqet ai. Ata që janë të shantazhueshëm nga SPAK, edhe brenda qeverisë, bëhen më të ashpër se vetë SPAK në frymën represive ndaj të paraburgosurve.
Dhe këtu përgjegjësia e qeverisë është pse i lë burgjet në dorë të njerëzve të tillë, të cilët janë të shantazhueshëm dhe, për pasojë, të gatshëm të ushtrojnë represion.




















