Ka ngjarje që nuk janë thjesht pjesë e historisë, por që i japin kuptim dhe forcë të ardhmes së një populli.

Ish-Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali rikujtoi sot në një postim të fuqishëm sakrificën e familjes Jashari në Prekaz, duke theksuar se guximi dhe qëndresa e tyre nuk ishte vetëm një akt personal, por një mesazh për të gjithë botën, se liria dhe dinjiteti i një populli nuk mund të shtypen me forcë.

Në postimin e saj të plotë, Spiropali shkruan:

“Ka ngjarje që ndryshojnë rrjedhën e historisë. Prekazi është njëra prej tyre.
Në marsin e vitit 1998, familja Jashari, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari, u përball me një makineri të tërë dhune shtetërore dhe zgjodhi të mos dorëzohej. Ishte një sakrificë e paimagjinueshme njerëzore, por edhe një akt që e bëri të qartë se liria dhe dinjiteti i një populli nuk mund të shtypen me forcë. Ajo që ndodhi në Prekaz preku ndërgjegjen e botës. Tragjedia dhe heroizmi i kësaj familjeje e bënë të pamundur që drama e Kosovës të mbetej më në heshtje shurdhuese. Qëndrimi në kancelaritë perëndimore filloi të ndryshojë dhe çështja e Kosovës mori vendin që i takonte në vëmendjen ndërkombëtare, duke na kujtuar se sakrifica është themeli i lirisë. Sot e kujtojmë Prekazin me respekt të thellë. Sepse ajo sakrificë nuk është vetëm një kapitull i dhimbshëm i historisë sonë është edhe momenti kur qëndresa e një familjeje u bë simbol i një populli të tërë. Lavdi përjetë Adem Jasharit, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë.”

Ky postim i Spiropalit nënvizon se përkujtimi i Prekazit nuk është thjesht një kujtesë historike, por një mesazh që sakrifica, qëndresa dhe guximi janë themelet e çdo lirie të fituar.